Secondary Adv

Largimi i të rinjve thellon krizën demografike, 62 për qind e emigrantëve nën 35 vjeç

44 mijë shqiptarë u larguan në 2023, lindjet bien në minimum historik.

Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, teksa emigracioni vijon të zbrazë vendin nga popullsia e re. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2023 rreth 44,000 shtetas shqiptarë emigruan drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa në periudhën 2020–2023 numri i të larguarve arriti të paktën 180,000 persona. Këto shifra nuk përfshijnë destinacione të tjera si Mbretëria e Bashkuar, ku emigracioni shqiptar arriti kulmin në vitin 2022.

 

Rinia dominon fluksin e largimeve

Profilizimi i emigrantëve për vitin 2023 tregon se 62 për qind e tyre ishin nën moshën 35 vjeç. Grupmoshat më të prekura janë 25–29 vjeç me 14.3 për qind dhe 30–34 vjeç me 13 për qind. Po ashtu, 18 për qind e të larguarve ishin fëmijë nën 15 vjeç, çka tregon se emigracioni përfshin familje të tëra dhe shihet si një zgjedhje afatgjatë.

 

Plakje e përshpejtuar dhe rënie e lindjeve

Largimi i të rinjve po përshpejton plakjen e popullsisë. Mosha mesatare, nga 34.7 vjeç në vitin 2015, parashikohet të arrijë në 44.3 vjeç në vitin 2025, sipas Eurostat, duke iu afruar mesatares së BE-së prej 44.9 vjeç. Në të njëjtën kohë, fertiliteti ka rënë në 1.21 fëmijë për grua dhe lindjet në vitin 2023 zbritën në 21,425, një rënie prej 74 për qind krahasuar me fillimin e viteve ’90, kur regjistroheshin mbi 82,000 lindje.

 

Migrimi neto thellësisht negativ

Të dhënat e INSTAT tregojnë se migrimi neto për vitin 2023 ishte -43,761 persona, ndërsa për vitin 2024 mbeti negativ me rreth -28,836 persona. Këto shifra konfirmojnë se largimet vijojnë të tejkalojnë ndjeshëm kthimet, duke ngritur shqetësime serioze për të ardhmen sociale dhe ekonomike të vendit.

 

Burimi: Ora News


Më të lexuarat